Kjo fotografi e nxjerrë nga një video e publikuar nga Gjysmëhëna e Kuqe iraniane, më 20 maj tregon ekipet e shpëtimit duke bartur trupa nga vendi ku u rrëzua helikopteri, me të cilin po udhëtonte presidenti iranian, Ebrahim Raisi, në një zonë malore të mbuluar me mjegull në veriperëndim të Iranit.
Raisi, 63 vjeç, dhe ministri i Jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian, janë gjetur të vdekur në vendin e rrëzimit të helikopterit.
Një tjetër pamje e marrë nga një video tregon shpëtimtarët duke nxjerrë trupat në vendin e rrëzimit.
Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, dhe ministri i Jashtëm, Amir-Abdollahian, ktheheshin nga një vizitë në kufi me Azerbajxhanin, më 19 maj, kur helikopteri i tyre u rrëzua në veriperëndim të Iranit, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë personave në bord.
Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Iranit ka publikuar këtë foto, e cila tregon pjesë të helikopterit pas rrëzimit të tij. Televizioni shtetëror iranian tha më 20 maj se helikopteri ishte rrëzuar për shkak të kushteve të vështira atmosferike.
Ekipet e kërkim-shpëtimit, të ndihmuara nga disa qeveri të huaja, kishin zhvilluar një operacion të shpejtë për helikopterin pasi ai u rrëzua në mot të lig në një zonë malore të vendit vonë më 19 maj.